Është kënaqësi e veçantë për mua, që në cilësinë e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, të shprehim vlerësimin për punën e njërit prej personaliteteve të rëndësishme të vendit tonë, pikërisht të doktor Sali Kurtit. Ai ka spikatur jo vetëm si profesionist dhe jo vetëm si një ekspert i lartë në fushën e tij si mjek stomatolog, por veçanërisht është shquar për dimensionin e tij njerëzor. Karakterizimi prej këtyre vlerave të mëdha intelektuale dhe altruiste, e kanë bërë doktor Sali Kurtin një mik, një dashamirës, një mjek dhe një humanist, të respektuar, të dashur dhe të nevojshëm për komunitetin, por edhe për vendin tonë.
Doktor Sali Kurti ia ka kushtuar jetën profesionit të mjekut, një profesion ky i nderuar, por edhe i vështirë. Me një karrierë të gjatë, gati prej 5 dekadash, ai është kthyer në shembullin e njeriut të punës, duke dalluar për përkushtimin, mirësinë dhe humanizmin e tij.
Ai është një ndër stomatologët e shkëlqyer të vendit, i cili për vite me radhë u kujdes që ta ushtronte profesionin me pasion, të ushtronte misionin e tij, por mbi të gjitha, e veçanta e punës së doktor Sali Kurtit është thjeshtësia dhe komunikimi i tij brilant me njerëzit. Ai është i kudogjendur dhe gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar të tjerët, e për këtë arsye, gëzon respektin e mirënjohjen e të gjithëve si një mjeshtër duarartë, por edhe si një mik i vërtetë i njerëzve.
Për një kohë të gjatë, doktor Sali Kurti ka mbajtur edhe pozicionin e drejtorit të Shërbimit Stomatologjik të rrethit të Matit, duke ndihmuar kështu edhe në aspektin e menaxhimit dhe të shërbimit publik. Me vizionin e qartë për të ofruar shërbim mjekësor sa më cilësor, dhe me dëshirën për të qenë sa më afër pacientëve, ai arriti në një kohë rekord që të përmirësojë dhe të ofrojë shërbimin dentar në çdo qendër të rrethit të Matit, duke prekur çdo familje dhe çdo banor të zonës. Për më tepër, falë cilësive dhe vlerave të larta humane dhe njerëzore që e karakterizojnë atë si individ, ai u përkujdes që edhe në çdo shkollë të zonës të ofrohej shërbimi dentar për të gjithë fëmijët.
Aktiviteti i gjerë i doktor Sali Kurtit shtrihet edhe në fushën kërkimore-shkencore. Ai ka dhënë një kontribut të vyer përmes sesioneve, konferencave dhe botimeve shkencore. Me këtë kontribut të vyer në fushën e shkencës ka bërë që suksesi i tij të jetë jo vetëm në shkallë kombëtare, por edhe t’i kalojë kufijtë e Shqipërisë.
Padyshim që edhe përcjellja e dijeve dhe e eksperiencës, ka bërë që profesor Saliu të jetë një ndër pedagogët më të njohur në vend, i cili përgatit stomatologët e rinj për të pasur një sukses në vazhdim të karrierës së tyre profesionale.
Gjatë ushtrimit të detyrës sime si President i Republikës së Shqipërisë, unë kam pasur rastin dhe mundësinë, që në emrin tim personal dhe të shtetit shqiptar, të njoh kontributin e njerëzve që në fund të fundit, janë ata që e kanë bërë vendin të ecë në rrugën e tij, për aq sa kemi arritur, përmes vështirësive, arritjeve dhe sfidave, herë me suksese e herë me ngecje, herë me arritje e herë me dështime.
Ne shqiptarët, prej shekujsh, e kemi pasur rrugën e rrugëtimin tonë dhe kjo rrugë e ky udhëtim, padyshim që është bërë nga njerëzit, nga personalitetet, nga ata të cilët kanë kontribuuar dhe i kanë dhënë shoqërisë, shtetit dhe vendit tonë kontribute të ndryshme, në dimensione të ndryshme. Ndaj është një pjesë e gjatë e historisë sonë ky udhëtim, ku çdo individ me kontributin e tij ka lartësuar kontributin e komunitetit në tërësi dhe të gjithë së bashku kemi bërë rrugëtimin e historisë së Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
Është e vështirë që ta rendisësh të gjithë këtë udhëtim të gjatë të personaliteteve të vendit tonë, të cilët janë të shumtë. Për fatin e mirë, kemi shumë personalitete, që me pasion, dëshirë, bindje, parime, dinjitet dhe me integritet kanë ndërtuar jo vetëm rrugëtimin e udhën e tyre, jo vetëm emrin e tyre, por edhe arritjet e kontributet e të gjithë Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve. Për të renditur arritje të tilla në të gjithë këtë rrugëtim, unë mendoj se është në detyrën e shtetit shqiptar, është në përgjegjësinë e shoqërisë në përgjithësi, që këto kontribute, më së paku, të mos harrohen, por të njihen, të nderohen dhe të vlerësohen këto figura.
Rrugëtimi i suksesshëm i doktor Sali Kurtit duhet çmuar e nderuar dhe vlerësimet për punën e këtij personaliteti në fushën e mjekësisë janë krejtësisht të merituara, pasi lidhen me misionin e profesionistit, e njëherësh të humanistit. Padyshim, ky rrugëtim i tij ka kaluar nëpër shumë vështirësi, që ndonëse unë nuk kam pasur rastin t’i identifikoj nga pranë këto sfida të udhëtimit të jetës së doktorit, sërish, si qytetar shqiptar dhe si qenie njerëzore, i besoj plotësisht se i ka pasur të shumta vështirësitë e tij, pasi ligjësia e natyrës na ka mësuar se askush nuk është i përjashtuar nga sfidat; askush nuk është i përjashtuar nga vështirësitë; e tillë është e ndërtuar jeta për gjithsecilin prej nesh, e në tërësi për të gjithë shoqërinë njerëzore.
Jam i bindur që në këtë rrugëtim të përballimit të sfidave, një faktor i pazëvendësueshëm ka qenë mbështetja që i ka ardhur nga familja e tij, nga njerëzit e tij të afërt, nga të dashurit e tij, ndaj unë dua që, krahas vlerësimit dhe mirënjohjes për doktor Sali Kurtin, të shpreh vlerësimet më të mira edhe për familjarët e tij, që kanë qenë gjithmonë inkurajimi më i madh, inspirimi më i thellë dhe mbështetja më e fortë në këtë rrugëtim të suksesshëm. Njëkohësisht, dua të shpreh mirënjohjen institucionale edhe për bashkëpunëtorët, miqtë, shokët, kolegët, ata të cilët kanë ndarë jo vetëm pasionin dhe profesionin; jo vetëm dimensionin e qytetarit e të akademikut, por që duke i bashkuar pikëpamjet në këtë lloj kontributi besoj se e kanë bërë më të fortë doktor Sali Kurtin, e njëherësh, edhe më të implementueshme e më të realizueshme idetë dhe kontributet e tij.
Unë besoj se bashkohen me mua të gjithë ata që kanë jetuar pranë tij, që e kanë njohur, që kanë punuar e bashkëpunuar, e mbi të gjitha, ata që kanë përfituar nga kontributi i doktorit, nga vlerat e tij njerëzore e profesionale dhe se sot në ushtrim të përgjegjësive institucionale dhe shtetërore, në demonstrim të përgjegjësive të shtetit dhe të shoqërisë, besoj se nuk bëjmë gjë tjetër veçse e konfirmojmë atë vlerësim që doktor Sali Kurti e ka fituar prej shumë e shumë kohësh më parë nga njerëzit e thjeshtë, nga qytetarët, nga populli, nga ata të cilët kanë marrë prej dimensionit të tij human, të një mjeshtri të vërtetë. Ne sot i themi: Je një mjeshtër “Mjeshtër i madh”! Urime mjeshtër, jetë të gjatë e suksese të mëtejshme!
Fjala e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, SH.T.Z. Bujar Nishani, u mbajt më 18 maj 2017, në mjediset e Presidencës, në prani të shumë personaliteteve shtetërore, politike e shoqërore, me rastin e akordimit të titullit të lartë të nderit “Mjeshtër i Madh” me motivacionin:
“Për kontributin shumëvjeçar në fushën e stomatologjisë, dhënë me ndërgjegje, përkushtim e profesionalizëm të lartë në ndihmë të popullsisë së rrethit të Matit, si dhe në vlerësim të punës së tij në drejtim të përsosjes së shërbimit mjekësor dentar.”