Vlerësimi për mjekun stomatolog, Sali Kurti

Vlerësimi për mjekun stomatolog, Sali Kurti

Motivacioni/ “Për kontributin shumëvjeçar në fushën e stomatologjisë dhënë me ndërgjegje, përkushtim e profesionalizëm të lartë në ndihmë të popullsisë së rrethit të Matit si dhe në vlerësim të punës së tij në drejtim të përsosjes së shërbimit mjekësor dentar”
Nga Luan Shtëpani
Më 18 maj 2017, Presidenti Bujar Nishani dekoroi zotin Sali Kurti me titullin “Mjeshtër i madh” . 10 vjet më parë Bashkia e Burrelit e vlerësoi duke e nderuar me titullin “Qytetar  Nderi” me motivacion “për shërbim të mirë ndaj popullit” në rrethin e Matit e më gjerë. Tituj të merituar plotësisht, ku e veçanta është se propozimi i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) për dekorimin e Sali Isuf  Kurtit, një nga figurat e shquara të rrethit të Matit, intelektual, mjeshtër, duarartë, altruist, njerëzor, dhe sindikalist, u mbështet nga Këshilli Bashkiak dhe Bashkia e Burrelit. Që do të thotë se Dr. Saliu gëzon respektin dhe mbështetjen e të gjithë faktorit politik në Mat. Një gjë e tillë u demonstrua dhe  në ceremoninë e zhvilluar në presidencë ku ishin të pranishëm të gjithë drejtuesit lokal dhe politik të Burrelit dhe deputetë të qarkut Dibër.
Aktiviteti  dhe kontributi i  z. Sali Isuf Kurti
 Dr. Sali Isuf Kurti ka lindur me 18 shkurt 1946 në fshatin Karicë, Bashkia Mat.
Në vitin 1974 mbaroi fakultetin e mjekësisë, dega Stomatologji me rezultate shumë të mira.
Në vitin 1979 mbaroi kursin 1 vjeçar pasuniversitar duke fituar titullin “Specialistë në protezë”.
Në vitin 1981 është dekoruar nga Kuvendi Popullor për shërbim të mirë ndaj popullit (stimul që jepej rrallë në atë kohë).
Në vitin 1982 u emërua drejtor i Shërbimit Stomatologjik të rrethit Mat, detyrë që e mbajti deri në vitin 1993, kohë kur shërbim dentar u decentralizua, privatizua. Në punën e tij drejtuese u vlerësua për këmbënguljen për të afruar shërbimin dentar sa më afër popullit, të cilin e realizoi duke i mbuluar me shërbim dentar gjithë qendrat e fshatrave të rrethit Mat, që në atë kohë shtrirja administrative e rrethit Mat ishte shumë e madhe, në planin gjatësor nga Martaneshi kufi me Librazhdin deri në Skuraj kufi me Milotin, në planin diagonal nga Lura deri në Qafshtamë.
U vlerësua për depistimin, diagnostikimin dhe mjekimin e sëmundjes karioze të të gjithë fëmijëve të shkollave të rrethit të Matit duke instaluar aparaturat dhe pajisjet dentare 2 herë në vit nga 1 muaj në çdo shkollë të rrethit të Matit.
Në vitin 1986 klinika dentare Burrel e drejtuar prej tij u dekorua nga Kuvendi Popullor me motivacionin “Për shërbim të mirë ndaj popullit” (dekorim që vetëm kjo klinikë e ka marrë ne vendin tonë).
Në vitin 1987 duke parë arritjet e veçanta në shërbimin stomatologjik të këtij rrethi Ministria e Shëndetësisë së asaj kohe organizoi në qytetin e Burrelit sesion shkencor në shkallë kombëtare për problemet stomatologjike. Në këtë sesion shkencor rrethi i Matit u vlerësua dhe përgjithësua si shërbimi stomatologjik më i përkushtuar, më i kompletuar dhe më i organizuar në të gjitha pikëpamjet në shkallë kombëtare.
Në vitin 2007 Bashkia e Burrelit e vlerësoi Dr. Saliun duke e nderuar me titullin “Qytetar Nderi” me motivacion “për shërbim të mirë ndaj popullit” në rrethin e Matit e më gjerë.
Ka punuar si pedagog i jashtëm për disa vite në Universitetin “Aldent”, Tiranë ku puna e tij është vlerësuar shumë mirë si nga rektorati dhe nga studentët e këtij universiteti.
Që prej vitit 2010 kur me vendim Gjykate u krijua Sindikata e Stomatologëve të Shqipërisë është Zv/ President i kësaj sindikate.
Në funksion të KSSH dhe Sindikatës së Shëndetësisë ka marrë pjesë dhe është aktivizuar në shumë konferenca me karakter kombëtar e ndërkombëtar, si në Kroaci, Mali Zi, Slloveni, Serbi, Maqedoni, Bullgari, etj. Mendimet e tij kanë qënë shumë të vlerësuara lidhur me organizimin dhe mbarëvajtjen e punës së sindikatave.
Që prej vitit 1998 administron klinikën dentare në Tiranë të emëruar prej tij “Mat Dental”. Këtë emërtim e ka zgjedhur me idenë për të identifikuar prejardhjen dhe me përfaqësimin e tij dinjitoz ka punuar dhe vazhdon të punojë me përkushtim dhe profesionalizëm për të rritur vlertat e vetvetes dhe të prejardhjes së tij. 
Nishani:“Dr. Sali Kurti mjek i talentuar me dimension human”
Në ceremoninë e dhënies së titullit, “Mjeshtër i madh”, z. Bujar Nishani me cilësinë e Presidentit të Republikës deklaroi:
“Eshtë një kënaqësi e veçantë për mua që në cilësinë e Presidentit të Republikës të organizojmë së bashku këtë ceremoni në vlerësim të punës të njërit prej personaliteteve të shquara të vendit tonë i cili në fakt ka spikatur jo vetëm si profesionist, jo vetëm në dimensionin profesional, jo vetëm si një ekspert i lartë në fushën e tij si mjek stomatolog, por veçanërisht dhe në dimensionin njërëzor. Vlerat e  mëdha intelektuale dhe alturiste e kanë bërë  Dr. Sali Kurtin një mik, një dashamirës, një mjek dhe një humanist të respektuar, të dashur dhe të nevojshëm për komunitetin, por dhe për vendin. Zoti Kurti i ka kushtuar jetën profesionit të mjekut, një profesion ky i nderuar, por dhe i vështirë. Me një karrierë të gjatë gati prej 5 dekadash ai u kthye në shembullin e njeriut të punës me përkushtim, mirësi dhe me humanizëm. Ai është një ndër stomatologët e shkëlqyer të vendit i cili vite me radhë u kujdes që ta ushtronte profesionin me pasion, të ushtronte misionin, por mbi të gjitha e veçanta e punës së tij është thjeshtësia dhe komunikimi brilant me njerëzit.  Ai është i kudogjendur dhe gjithmonë i gatshëm  për të ndihmuar të tjerët e duke gëzuar kështu respektin dhe mirënjohjen e të gjithëve si mjeshtër duarartë edhe si një mik vërtet i njerëzve. Prej një kohë të gjatë ai ka mbajtur dhe detyrën e drejtorit të shërbimit stomatologjik të rrethit të Matit duke ndihmuar kështu në aspektin e menaxhimit dhe të shërbimit publik me një vizion të qartë për të ofruar shërbim mjeksor sa më cilësor. Me dëshirën për të qenë sa më afër pacientëve ai arriti që të përmirësojë dhe shërbimin dentar në çdo qendër të rrethit të Matit, duke prekur çdo familje dhe çdo banor të zonës. Falë cilësive dhe vlerave të larta humane dhe njerëzore që e karakterizojnë atë, ai u përkujdes që në çdo shkollë të zonës të ofrohej shërbimi dentar për të gjithë fëmijët. Aktiviteti i tij i gjerë shtrihet dhe në fushën kërkimore, shkencore dhe akademike. Ka dhënë një kontribut të vyer përmes sesioneve, konferencave dhe botimeve shkencore. Kjo ka bërë që suksesi i tij të jetë jo vetëm në shkallë kombëtare, por dhe t’i kalojë kufijt e Shqipërise. Padyshim që dhe përcjellja e dijeve dhe eksperiencës ka berë që ai të jetë një ndër pedagogët më të njohur ne vend.  Ju falenderoj të gjithëve që pranuat ftesën time në këtë ceremoni për të nderuar një rrugëtim të suksesshëm, kontribute të arrira dhe vlerësime të merituara për një personalitet siç është Dr. Sali Kurti. Në këtë rrugëtim faktor i pazëvendësueshëm  ka  qenë mbështetja që i ka ardhur nga familja e tij, nga njerëzit e tij të afërt, nga të dashurit e tij. Ndaj unë dua që krahës vlerësimit dhe mirënjohjes për Dr. Sali Kurtin të shpreh vlerësimet më të mira dhe mirënjohjen për familjarët e tij, për të afërmit e tij, për të dashurit e tij, që jam i sigurt që kanë qenë gjithmonë inkurajimi më i madh, inspirimi më i madh dhe mbështetja më e fortë në këtë rrugëtim siç e thash dhe siç e besoj të suksesshëm. Dua të shpreh dhe mirënjohjen institucionale për bashkëpunëtorët e tij, miqt, shokët, kolegët. Unë dua që të besoj dhe besoj fort që bashkohen me mua të gjithë ata që kanë jetuar, qe e kanë njohur, që kanë punuar, që kanë bashkëpunuar e mbi të gjithë ata të cilët kanë përfituar nga kontributi i doktorit, i dimensionit të tij human, vlerave të tij profesionale. Në  këtë ceremoni, në ushtrim të përgjegjësive insititucionale dhe shtetërore dhe në demonstrim të përgjegjësive të shtetit dhe shoqërisë, besoj se s’bëjmë gjë tjetër veçse e konfirmojmë atë vlerësim që Dr. Kurti e ka fituar prej shumë e shumë kohësh më parë nga njerëzit e thjeshtë, nga qytetarët, populli, nga ata të cilët kanë marrë shërbimin dhe dimensionin e tij human të një mjeshtri të vërtetë. Ne sot i themi ‘je një mjeshtër’!, një ‘mjeshtër i madh’!, ‘urime mjeshtër’!, jetë të gjatë dhe suksese të mëtejshme!”.
Sali Kurti: “Jam shumë i emocionuar, i vlerësuar dhe i lumtur për titullin”
“Ndjehem shumë i emocionuar, shumë i vlerësuar, shumë  i lumtur që Presidenti i Republikës më akordoi titullin e lartë ‘Mjeshtër i madh’. Këtë kënaqësi, këtë lumturi timen, këtë vlerësim dhe këto emocione kam kënaqësinë t’i ndajmë bashkërisht. E falenderoj Presidentin Nishani për titullin, për vlerësimin e punës time dhe kontributin tim shumëvjecar.  Falenderoj Bashkinë e Matit me kryetar  z. Nezir Rizvani, Këshillin Bashkiak me kryetar, z. Agim Hysa, Konfederatën e Sindikatave të Shqipërisë me President, z. Kol Nikollaj, Sindikatën e  Stomatologëve të Shqipërisë  me President , z. Petrit Frangu, dhe komisionin e vlerësimit të figurave pranë bashkisë së Matit për vlerësimin”- deklaroi gjatë fjalës së tij pas marrjes së titullit, z. Sali Kurti. Ndërsa për TV ai u shprehur se është shumë krenar që është matjan për faktin se Mati e edukoi, e burrëroi, e rriti profesionalisht dhe  e formoi në të gjitha pikpamjet. “Mati dhe matjanët janë idhulli im, janë jeta ime”- tha mjeku stomatolog Sali Kurti.
/kohajone.com