Për 10 vjet radhazi, nën drejtimin e dr. Sali Kurtit u shënuan shumë arritje në shërbimin stomatologjik të rrethit të Matit

Për 10 vjet radhazi, nën drejtimin e dr. Sali Kurtit u shënuan shumë arritje në shërbimin stomatologjik të rrethit të Matit

Në vitin 1982, dr. Sali Kurti, për veçse si mjek stomatolog ka kryer edhe funksionin e Drejtorit të Shërbimit Stomatologjik të rrethit të Matit. Gjatë kryerjes së kësaj detyre, ai e ktheu pasionin për stomatologjinë në një mision për të përmirësuar jetën e 17 mijë banorëve të kësaj zone.
Edhe pse mundësitë ishin të kufizuara, ai ndërtoi një vizion e strategji zhvillimi, që solli shumë risi për kohën, duke e bërë shërbimin dentar të rrethi të Matit tepër efikas e cilësor, pavarësisht kushteve të vështira.
Detyrat prioritare që i vuri vetes lidheshin me dy aspekte: së pari, ta ofronte sa më pranë njerëzve shërbimin stomatologjik dhe së dyti, ta rriste sa më shumë numrin e stafit me kualifikimin e duhur profesional, gjë që do të ndikonte në cilësinë e shërbimit.
Rrethi i Matit, me qendër administrative qytetin e Burrelit, kishte një shtrirje gjeografike shumë të madhe e diagonalisht nga Lura e Dibrës deri në Shëngjergj të Tiranës, në planin gjatësor nga Librazhdi në Milot. Me një terren të thyer malor, me mungesë të rrugëve rurale e me mangësi të mjeteve të transportit. Njerëzit prej të gjitha këtyre anëve vërshonin drejt atyre pak klinikave ekzistuese që gjendeshin përveçse në Burrel, edhe në Klos, Derjan, Krastë dhe Baz.  Ata e kishin të domosdoshëm këtë shërbim dhe nuk mund të vijonin të përshkonin kilometra të tëra në këmbë për të mbërritur në klinikën më të afërt, në të cilën kishte gjithnjë radhë të gjata.  Udhëtonin në këmbë, me orë të tëra, qoftë dhe për të hequr një dhëmb. Deri në kohën kur dr. Sali Kurti mori përgjegjësinë për organizimin dhe drejtimin e shërbimin stomatologjik, klinika dentare, ose kabinete dentare, kishte vetëm në qytetin e Burrelit dhe në disa qendra si Klos, Derjan, Krastë-Martanesh e Baz.   Gjatë punës së tij drejtuese, në një kohë rekord, vetëm në tre vjet, u hapën kabinete dentare në të gjitha qendrat shëndetësore dhe qendrat e fshatrave të rrethit të Matit. Konkretisht, në Peshk të Martaneshit, në Gur të Bardhë, në Xibër, në Bejn Klos, në Suç, në Lis, në Macukull, Dukagjin, Laç-Bruç, Cërujë, Ulëz, Komsi,  përveç atyre që ishin ekzistuese, si dhe u çelën kabinete në të gjitha shkollat e qytetit të Burrelit, me qëllim mjekimin dhe ndjekjen gjithëvjetore të fëmijëve.
Ndërsa detyra e dytë që lidhej me kualifikimin e punonjësve, në funksion të përmirësimit të cilësisë së shërbimit u realizua nëpërmjet zhvillimit të temave e të seminareve për ngritjen tekniko-profesionale. Për këtë arsye, me të gjithë punonjësit e shërbimit stomatologjik të rrethit të Matit, dr. Sali Kurti trajtonte çdo muaj tema profesionale, gjë që ofronte mundësinë edhe të shkëmbimit të mendimeve, opinioneve dhe përvojave mes kolegësh. Pra,  një ditë në muaj, në bazë të një plani të caktuar, caktonin dhe zhvillonin një temë që ishte më interesante, të cilën më pas e diskutonin dhe shqyrtonin për ta aplikuar e zbatuar sa më mirë në praktikën e përditshme.
Falë vizionit dhe kërkesave të dr. Sali Kurtit, shumë shpejt rrethi i Matit u kompletua me specialistë stomatologë në fushat Protetikë, Kirurgji, Terapi, Petodonti, etj. Me funksionimin e gjithë këtyre specialiteteve u përmirësua ndjeshëm cilësia e shërbimit ndaj qytetarëve.
Në librin e tij biografik “Një jetë në shërbim të njerëzve”, vetë doktor Saliu kur flet për karrierën e tij si drejtues, veçon si moment të rëndësishëm edhe fushatat sensibiluese nëpër shkollat e rrethit të Matit, ku ndër të tjera shprehet:
“Me qëllim marrjen e masave profilaktike, në muajt prill e maj të çdo viti organizonim aksion për mjekimin e dhëmbëve të fëmijëve. Në çdo shkollë të rrethit, instalonim pajisjet dentare dhe në bazë të një programi paraprak, u ndërmor një fushatë ndërgjegjësuese për higjienën orale. Jo vetëm kaq, por ne planifikonim që duke punuar me orar të zgjatur të realizonim mjekimin e kariesit tek të gjithë nxënësit e shkollës në të cilën kryhej fushata. Kjo bëhej në një kohë sa më të shkurtër, na varësi edhe të numrit të nxënësve. Më pas, zhvendoseshim menjëherë në një shkollë tjetër. E kështu me radhë, i merrnim të gjitha shkollat, me qëllim që, sipas zonave ku funksiononin klinikat dentare, brenda muajve prill e maj të çdo viti, të realizohej mjekimi i kariesit te të gjithë fëmijët e shkollave të rrethit të matit. Ishte një punë e jashtëzakonshme, që pa vullnetin dhe përkushtimin e të gjithë stafit mjekësor të atyre viteve nuk do të mund të arrihej. Për mua, si ideues dhe drejtues i kësaj fushate, është emocionuese kur takoj nxënës të atyre viteve, të cilët më thonë: “Doktor, në gojën time kam dhëmbë të mbushur nga ju në x (iks) vit kur kam qenë nxënës në x (iks) shkollë fillore, apo 8-vjeçare”. Pra, bëhet fjalë për 40 vjet e kusur vjet dhe mbushjet e dhëmballëve kanë rezistuar”.
Kjo periudhë drejtimi konsiderohet një faqe e ndritur jo vetëm në karrierën e doktor Sali Kurtit, por edhe për mbarë shërbimin stomatologjik të rrethitë të Matit, ku në ato vite si rrallëherë, Kuvendi Popullor i Republikës së Shqipërisë i akordoi edhe medaljen “Për shërbim të mirë ndaj popullit”.
Ky vlerësim i dhënë në vitin 1985 ishte një ngjarje e pashembull. Ishte e para dhe e fundit klinikë dentare në shkallë kombëtare që u vlerësua nga Kuvendi Popullor për punën e mirë të saj. Vlerësimi i punës së klinikës dentare deri në dekorimin e saj, ishte vlerësim maksimal për një institucion shëndetësor. Ky ishte vlerësim i punës kolektive, por njëkohësisht ishte vlerësim dhe i punës individuale të dr. Sali Kurtit si drejtues, gjë që e bëri të njohur në shkallë kombëtare.
Please follow and like us: