Promovohet libri “Një jetë në shërbim të njerëzve” i dr. Sali Kurtit

Me praninë e ish-presidentit Bujar Nishani, studiuesve të letërsisë, shkrimtarëve, kolegëve të mjekësisë e të përfaqësuesve më të lartë të pushtetit vendor u promovua libri autobiografik i dr. Sali Kurtit.
Të premten e 24 majit, në prani të shumë personaliteteve, në Pallatin e Kulturës Burrel, është promovuar libri i mjekut të mirënjohur stomatolog Sali Kurti. Libri i titulluar: “Një jetë në shërbim të njerëzve”, është botimi përmes të cilit dr. Sali Kurti me mjeshtëri të lartë artistike sjell esencën e jetës dhe të karrierës së tij.
Libri është strukturuar në 23 kapituj, ku në kapitullin hyrës paraqitet fjala e presindetit Bujar Nishani, me rastin e akordimit të titullit “Mjeshtër i madh” dr. Sali Kurtit, si një nga kulminacionet më të rëndësishme të jetës së tij. Më pas, vijojnë kapitujt e tjerë, të cilët në trajtë kronologjike paraqesin momentet më të rëndësishme të mjekut. Me një rrëfim të sinqertë pasqyrohen të gjitha detajet nga jeta e tij personale, që nga varfëria e skajshme, ecejaket nga njëri fshat në tjetrin në kërkim të dijes; puna e stërmundishme e deri tek përballja me vdekjen, në përpjekje për të siguruar paratë për shkollimin.
Libri është pritur me interes të madh nga publiku shqiptar, gjë që u dëshmua edhe në vlerësimet e reagimet pozitive të shpërfaqura në ceremoninë e promovimit të librit.
Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistën “Mat”, Z. Hamdi Hysuka, i cili pasi bëri një ekspoze të numrit të autorëve dhe veprave të botuara nga matjanët ndër vite, vlerësoi kontributin e dr. Sali Kurtit jo vetëm si mjek, por tashmë edhe si shkrimtar.
Redaktorja e librit, dr. Jolanda Lila, gjatë fjalës së rastit në promovimin e këtij libri autobiografik e ka cilësuar si befasuese trajtën rrëfimtare të librit, duke theksuar ndër të tjera se: “Një jetë në shërbim të njerëzve” është një libër me shumë vlera, për të sotmen dhe për të ardhmen. Nuk është thjesht një libër autobiografik, por shumë më tepër. Aty ndryhet jeta e brezave të tërë që jetuan në kushte mjaft të vështira në vendin tonë, si në komunizëm, ashtu edhe gjatë viteve të tranzicionit. Libri përmban dëshmi etno-kulturore, historike, sociale jo vetëm të një jete, por të jetëve të qindra e mijëra shqiptarëve anë e kënd vendit”.
Pas detajeve mbi gjuhën dhe veçoritë artistike të librit të paraqitura nga studiuesja Jolanda Lila, fjalën e mori studiuesi Behar Gjoka. Ai theksoi se të shkruarit e një libri autobiografik është ndër gjërat më të vështira edhe për shkrimtarë e krijues të sprovuar ndër vite, e jo më për dikë që vokacion kryesor ka mjekësinë, prandaj ai i shprehu përgëzime autorit për nismën dhe rezultatin final. Njëherësh, nxori në pah rëndësinë e një vepre të tillë, e cila është dëshmuese e raportit të individit me shoqërinë dhe e individit me kohën.
Intelektuali i mirënjohur, Esat Ruka, në cilësinë e mikut të hershëm të doktor Saliut, e vuri theksin tek shënimet kohë pas kohe që doktori kishte mbajtur dhe përmes analizimit të disa episodeve të librit, ai vuri në dukje humanizmin që e ka karakterizuar ndër vite mikun e tij dr. Sali Kurtin.
Më pas fjalën e mori ish-presidenti Bujar Nishani, i cili pasi theksoi vlerat civilizuese dhe njerëzore të vetë doktor Saliut, u ndal në një nga simbolet kryesore të këtij libri, pikërisht tek lisi. Ai e krahasoi rëndësinë e këtij libri pikërisht me këtë simbol, duke theksuar se ky libër do të shërbejë për brezat e ardhshëm si një hije prehjeje e motivimi, për të ecur përpara.
Autori i librit, dr. Sali Kurti, pasi shprehu mirënjohjen  dhe falenderimet për familjen e tij dhe për të pranishmit në promovim, nënvizoi faktin se: “Suksesi më i madh i njeriut është kur ne e ndiejmë veten të dobishëm për të tjerët. Asgjë nuk ka të bëjë me çfarë ne kemi, por me çfarë bëjmë ne me gjërat që kemi. Prandaj ndjehem fatlum që në jetën time kam arritur të ndikoj pozitivisht në jetën e shumë njerëzve. Nuk mjafton të punosh fort dhe të arrish gjithçka që do vetë, por rëndësi ka që kur ne arrijmë diçka, të kthejmë kokën mbrapsht dhe të ndihmojmë edhe dikë tjetër që të ngrihet bashkë më ne”. Ai falenderoi edhe redaktoren e librit, dr. Jolanda Lila, për punën e kujdeshme që ka bërë me aspektin gjuhesor.
Në fund, shprehën konsideratat dhe impresionet e leximit edhe shumë personalitete të tjera të pranishme, mes të cilëve poeti Basir Bushkashi, gazetari Faik Xhani, mjeku Qemal Ceni dhe kryetari i Konfederatave të Sindikatave të Shqipërisë, Z. Kolë Nikolli.
Gjithashtu atmosfera festive u përçua edhe përmes interpretimeve muzikore të orkestrinës popullore të Matit.

 

 

/Redaktori.net

Please follow and like us: